Ardian Bujupi, tani me albumin e tij të parë
Supertalenti shqiptar nga Kosova, i zbuluar në emisioni ‘Deutschland sucht den Superstar’ – Ardian Bujupi nuk di të ndalet. Pas publikimit të këngës së parë ‘This is My Time”, ai ka bërë paralajmëron albumin e tij. Ardian Bujupi ka bërë edhe një single të ri brenda më pak se tri javësh. Ai ka publikuar hitin e tij të dytë “Rise to the Top”, këngë që tashmë është bërë një hit në Gjermani. Klipi i këngës ‘Rise to the top’ e sjell Ardianin me të njëjtin stil, duke shkëputur edhe fragmente imazhesh nga koncertet e tij. Madje, tashmë Ardiani
nuk do të ndalet pasi më 9 dhjetor 2011, pra nesër, pritet të promovojë edhe albumin “To the Top”. Hiti i tij “This is my Time” tashmë është në mesin e 45 këngëve më të mira në Austri dhe në mesin e 69 këngëve më të mira në Gjermani.
Ndoshta kënga pritet që të jetë edhe për disa javë në top-lista, ndërkaq mediat gjermane shkruajnë se ky rezultat i Bujupit vjen pas arritjeve të tij në DSDS. Albumi i Ardianit do të ketë 12 këngë, veç dy këngëve të njohura tashmë nga publiku, do të jenë edhe disa këngë të zhanrit dance si “Mr. Sex & Soul”, “Kiss the DJ,” “Green Light” dhe “Exotic”. “Përfundimisht më nëntë dhjetor fillon jeta për mua. Gjëja më e rëndësishme, jo pse kemi bërë shumë punë, por në këtë album paraqitet 100 për qind Ardiani i vërtetë”, ka thënë Bujupi për mediat gjermane. Bashkëpunimet e tij janë me producentë të njohur si Unik (producent që punoi me Pitbull, Nelly dhe Rapsody), Hitimpulse dhe Fonty (Lil Wayne, Tyga, Fler) Henzl dhe Sebastian (Cassandra Wilson). Kreativiteti, ndjenjat për muzikë, rëndësia e përmbajtjes së teksti, zëri dhe mbështetja profesionale nga profesionistët janë ato që e kanë gëzuar më së shumti Ardianin gjatë jetës së tij.
Ardani beson se do të hyjë fuqishëm në tregun muzikor, brenda pak ditëve. Pas suksesit të “This Is My Time”, tani ai është në pritje të suksesit të hitit të tij të dytë, “Rise to the Top”. Kjo ecuri e shpejtë e Ardian Bujupit duket se po i hyn atij shumë shpejt në përdorim. Madje ai thotë se është i kënaqur me punën. “Jam duke u kënaqur…I falënderoj adhuruesit, të cilët e kanë bërë të mundur të jem këtu. Ju përshëndes me një Ciao nga Ardiani”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook. Kohëve të fundit Ardian Bujupi ka qenë mjaft aktiv duke mbajtur koncerte nëpër vende evropiane, kryesisht në Gjermani e Zvicër, ku besohet të ketë numrin më të madh të adhuruesve, pikërisht për shkak të natyrës së emisionit ku ka marrë pjesë – DSDS.
















