Nis gara te “Kënga Magjike”: Ja këngëtarët Big që do konkurrojnë njëri-tjetrin
Do të jetë një garë e fortë, ku nuk do të mungojë spektakli dhe këngët e mira në këtë edicion të ri të festivalit “Kënga Magjike”. Ndërkohë që janë prezantuar këngët e para në fillimin e sezonit të ri “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, shumë mund të pyesin se a do të ketë konkurrencë të fortë këtë vit mes këngëtarëve, dhe cilët do të jenë emrat Big që do të hyjnë në garën e festivalit të “Kënga Magjike 2011”.
Duket se kanë filluar të ndihen emocionet e para të një festivali të tillë, ku publiku nga java në javë dëgjon këngët dhe krijon preferencat e tij për to deri në natën finale, apo natën e çmimeve të mëdha. Edhe pse ky është një moment ku shumë këngëtarëve u duhet të vendosin mes dy festivaleve, atij “Kënga Magjike” dhe Festivali i Këngës në RTSH, që këtë vit duket se ka tërhequr vëmendjen e jo pak këngëtarëve, pasi është edicionjubile, në vitin e tij të 50-të. Gjithsesi, ata këngëtarë që marrin pjesë te “Kënga Magjike”, tashmë i kanë përfunduar regjistrimet e këngëve të tyre dhe presin lançimin e këngës nga java në javë. Edhe pse nuk ekziston ende një listë zyrtare me emrat e këngëtarëve pjesëmarrës, kemi arritur të sigurojmë një listë emrash të këngëtarëve Big që do të mund të konkurrojnë këtë vit. Mes tyre mund të përmendim Jonida Maliqin, e cila i rikthehet këtij festivali, pasi e ka fituar një herë kupën e çmimit të parë. Pritet me kuriozitet shfaqja e saj në skenë, pasi këngëtarja do të perfomojë shtatzënë, në pritje të ardhjes në jetë të fëmijës së saj të parë. Po ashtu, në këtë edicion të “Kënga Magjkike” do të kkonkurrojë dhe Besa Kokëdhima, por detajet e këngës së saj nuk dihen ende. Për sa u përket emrave të njohur, është Redon Makashi, i cili i rikthehet konkurrimit në një festival pas tetë vitesh. Edhe kësaj here Makashi do të marrë pjesë me një baladë, muzika që i shkon atij më shumë. Po ashtu do të jetë një suprizë e vërtetë pjesëmarrja e këngëtares kosovare, Dafina Zeqiri, e cila sapo ka përfunduar dhe albumin e saj të ri me titull “Just me”, që përmban dhjetë këngë dhe që do ta promovojë për pak ditë në Prishtinë. E në këtë garë, nga këngëtarët e njohur të rrymës hip- hop konkurron Big Basta (Gerald Xhari), i cili hyn në konkurrim me kupën e “Klipit më të mirë të vitit” që e fitoi për këngën “Muzikës sime”. Gjithashtu, listës së këngëtarëve u shtohet Rezarta Shkurta, e cila edicion e kaluar konkurroi me këngën “Budallaçkë e vogël”, të Pirro Çakos. Surprizë tjetër për këtë show muzikor do të jenë Rozana Radi dhe reperi kosovar Mc.Kresha, të cilët tashmë të përfolur me lidhjen e tyre, kanë menduar ta mediatizojnë më shumë këtë lidhje, ndërsa do të shfaqen në skenë së bashku me një duet. Po ashtu, në këtë garë, pas dy dueteve të sukseshme me Sinan Hoxhën merr pjesë edhe Seldi Qalliu, duke iu rikthyer “Kënga Magjike” pas shumë disa vitesh, po tashmë si një emër i njohur.
















