Ingrit Gjoni thyen rekord
Ingrit Gjoni, këngëtarja e dashur e muzikës shqiptare po realizon pak nga pak atë që premtoi në fillim të kësaj vere.
“Synoj t’i kaloj kufijtë”, – tha Ingriti në një prej intervistave të saj të para, pas publikimit të bashkëpunimit me DJ e famshëm rumun, Tony Ray…dhe në fakt po e arrin. Kënga “My heart is crying”, është shumë e pëlqyer në disa vende të mëdha në Ballkan e më tej në Europë, duke u bërë kështu pjesë e playlistave të disa prej radiove më të njohura në Rumani, Bullgari, Slloveni, Bosnje-Hercegovinë, Greqi, etj. Në këtë të fundit madje, Ingriti ka arritur një rekord…Kënga e saj në bashkëpunim me Tony-n është kthyer në një hit të verës dhe veç kësaj është renditur e para në një prej klasifikimeve më serioze që bëhet në Greqi. Kjo është një arritje e madhe për Ingritin, e cila shumë shpejt do të ndërmarrë edhe një tur koncertesh në Ballkan së bashku me Tony-n. Ingrit Gjoni ka qenë një ndër këngëtaret më të kërkuara gjatë kësaj vere, me një axhendë të ngjeshur koncertesh, aq sa ndonjëherë i duhej edhe t’i refuzonte ato. Megjithatë, jo gjithçka ka qenë puna këtë verë për Ingritin, ajo i ka kushtuar jo pak rëndësi edhe pushimeve gjatë këtij viti, duke i rezervuar vetes 3 javë të plota pushimi, si rrallë ndonjëherë (për shkak të angazhimeve). Këngëtarja ka përshkruar thuajse gjithë vijën bregdetare në Shqipëri, duke u ndaluar më së shumti në Jug, e më pas edhe disa ditë në veri, në Velipojë, ku ka qenë së bashku me të gjithë familjen. Nuk kanë munguar as pushimet jashtë kufijve shqiptarë me të dashurin, Genti, historia 5-vjeçare me të cilin duket se po shkon për mrekulli…
















