Eni Koçi: Këngëtaret nuk më kanë qejf

Edhe pse nuk i ka bërë ende 15 vjeç, ajo është vajzë e suksesshme në muzikë. Eni Koçi nuk është një adoleshente si gjithë të tjerat, kohën mundohet ta shfrytëzojë në mënyrën më të dobishme që mendon. Shoqja e saj më e mirë është motra, Greta Koçi. Në këtë bisedë me “Sh2″-in tregon se gjithmonë e më shumë po i shtohen “armiket” në muzikë, rrëfen më tej për marrëdhënien e saj me motrën dhe premtimin se së shpejti do të dalë një këngë që, sipas Enit, do të jetë një hit i garantuar.


Eni edhe pse e vogël tashmë jeni e njohur jo pak, si po shkon muzika tek ju?

Muzika mirë, përpiqemi të sjellim risi për publikun dhe të përkrahim më të mirët. Besoj se është mosha ajo që më bën edhe më të njohur.

Përveç muzikës, ju shkoni edhe në shkollë, në çfarë viti jeni? A jeni mirë me mësime?
Po normalisht, arsimimi në radhë të parë, pa të nuk mund të bëhesh as një artist i mirë dhe as dikush në jetë. Jam në vitin e parë në gjimnaz. Me mësime shkoj mirë, përpiqem që t’i bëj të gjitha, si muzikën po ashtu edhe shkollën.

Ju ka penguar kënga, ndoshta ka bërë të lini pas dore librat e shkollës, apo jo?

Jo absolutisht… Kënga thjesht më ngarkon 2-fish me punë, por kjo s’do të thotë që të lë mësimet pas dore. E kam thënë dhe do ta them gjithmonë që pa pasur një arsimim të mirë nuk mund të jesh kurrsesi një artist i mirë.

Si ju shohin mikeshat, shoqet e klasës apo të shkollës, me zili apo me simpati?
Të them të drejtën, i vetmi kontakt me njerëzit që unë kam është shkolla, ose me saktë klasa ime dhe mësueset. Unë kam vite në atë shkollë dhe me njohin të gjithë si Eni dhe jo si Eni Koçi. Më përkrahin jashtë mase, sidomos shoqëria më e ngushtë.

Në fakt, po të rikthehemi pak, pse ju futët, muzikës, mos u joshët nga suksesi i Gretës?
Në fakt, unë jam rritur me muzikë. Kur Greta filloi karrierën e saj, unë kam qenë shumë e vogël dhe e ndiqja gjithmonë në çdo hap që ajo bënte. Dhe të them të drejtën kam mësuar shumë gjëra nga Greta. Mendoj se një arsye shumë e fortë për hyrjen time në botën e muzikës është Greta.

Është ashtu siç e mendonit bota e muzikës, marrëdhëniet mes këngëtarëve?
Jo, botën e muzikës që e vogël e kam menduar krejt ndryshe. Shumë të ëmbël dhe paqësore, mendoja se gjithkush kishte vendin e tij në shkallën e suksesit, sipas vlerave që x-artist shpalos, por ja që është ndryshe. Tani mendoj se bota e muzikës është si një luftë ku të aftët mundohen të marrin fronin me të gjitha mënyrat e të aftëve. Duhet të “luftosh” shumë që të jesh në majë. Fatmirësisht, unë kam prindërit që kanë mbi supe këtë pjesë.

A keni mikesha këngëtare?
Kam edhe pse janë të pakta. Mikeshe që është edhe pjese e shou bizz-it është motra ime Greta. Përveç se jemi motra, jemi shumë shoqe.

Ke më shumë në fushën e muzikës, apo jashtë saj?
Shumica e këtyre të fushës së muzikës nuk më kanë edhe aq qejf këto kohë… për fatin tim të mirë.


Mendon se je me fat që në kaq pak kohë ke realizuar këngë e videoklipe?

Unë jam me fat që këto këngë dhe klipe që kam realizuar kanë rezultuar të suksesshme. Kjo më bën të ndihem me fat dhe e vlerësuar, po aq sa më shtyn për të vazhduar më tej.

Kush të ka ndihmuar më shumë në këtë pikë?
Familja ime, absolutisht. Janë ata që më kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta bëjnë.


Ku ngjani dhe ku nuk ngjani ju motrat, Greta dhe Eni?

Ne ngjajmë në pasionin që kemi për muzikën, diplomacinë, biznesin, gazetarinë. Kemi mendime të përbashkëta për shumë gjëra. Ndryshe nga shumë motra që grinden për rroba apo për shumë gjera të tjera, ne debatojmë pa humbur arsyetimin. Këtë e kemi pikë shumë të ngjashme. Ku nuk ngjajmë? Greta është e urta e familjes, unë jam djali i shtëpisë që i bëj të gjithë lëmsh.

Cila është ajo gjë që Greta të bën më shumë vërejtje?
Atë vërejtje që Greta ma bën njëherë përpiqem që të mos e përsëris.


Cilat janë ambiciet e tua në fushën e muzikës?

Ambiciet janë të shumta. Do të vazhdoj të punoj shumë që në një të ardhme, të lë gjurmë në muzikën shqiptare. E vendosur për këtë gjë.


Do të kesh ndonjë këngë të re së shpejti, nëse mund të na thuash disa të dhëna?

Sapo kam përfunduar një këngë, e cila është në bashkëpunim me një rreper shumë të suksesshëm. Kënga është vërtet shumë e realizuar dhe një hit i garantuar. Aktualisht po punojmë për një klip që e them me plot bindje, nuk e ka parë ndonjëherë Shqipëria. Ka shumë elemente të vështirë për t’u realizuar dhe ne po punojmë shumë që të nxjerrim diçka të veçantë, shumë shpejt do të mund ta shihni.

Eni, ju drejtoni edhe një emision radiofonik?
Po është e vërtetë, unë së bashku me këngëtaren dhe mikeshën time, Ronela Hajatin, kemi një emision të përjavshëm “HELM”, çdo të shtunë. Në emisionin “HELM”, ne trajtojmë çdo gjë që shkruan shtypi rozë për artistët, dhe komentojmë këta artikuj edhe me dëgjuesit nëpërmjet mesazheve.


Pse keni zgjedhur të nxirrni thashetheme nga emisioni, pse këtë lloj formati?

Ne nuk nxjerrim thashetheme, ne komentojmë thashethemet që nxjerrin gazetat. Shpesh kemi edhe vetë këngëtaret e përfshirë në këto thashetheme dhe skandale të ftuar në emision për të bërë më të qartë çdo gjë.

Ka shkaktuar kjo ndonjëherë hatërmbetje te koleget e tua?
Nuk ka arsye që të krijohet hatërmbetje, ne mbajmë anën e drejtë, mund të jetë e gazetës dhe e gazetarit ose e artistit.

Ka dalë në media se keni akuzuar Adelinën për “diva silikon”, si qëndron kjo gjë?
Unë nuk di që ndonjëherë të kem akuzuar këngëtaren Adelina Ismajli si “diva me silikon”. Janë gazetat dhe revistat që për të pasur shitje të gazetës apo revistës bëjnë të tillë artikuj, dhe më mbajnë për muaj me radhë në kopertinë. Unë nuk bëj koreografi, as nuk kompozoj. Mua m’u prezantua një projekt, kënga, koreografia dhe teksti. Më propozuan për ta prezantuar unë këtë projekt për një publik të tërë dhe rashë dakord, sepse në fakt “divat” që mbajnë famën duke bërë striptizëm janë të shumta, dhe mua si një brez i ri nuk më pëlqen aspak kjo gjë. Prandaj, dhe isha unë ajo që këndova një kënge kushtuar “divave me silikon”, që s’kanë talent për muzikë, por thjesht zhvishen në mënyrë të ekzagjeruar për të mbajtur famën. Kjo është e gjitha.


E keni menduar ndonjë duet me motrën tuaj Greta?

Këto kohë unë po punoj për albumin tim të parë, i cili do të dalë këto muaj në treg, por ende nuk kemi menduar për një tjetër bashkëpunim motrash, pas këngës “Ne bëjmë dëm”. Besoj se me kalimin e kohës do të fillojmë të mendojmë për një tjetër bashkëpunim.


Ju jeni adoleshente që frekuentoni jetën e natës, apo…?

Unë jam një adoleshente që punoj shumë për të ardhmen time, për shkollën, për muzikën dhe për pasionet e tjera të miat. Jam një adoleshente që as më shkon ndërmend të dal për qejf, për mua është humbje kohe. Kohën e lirë e kam vetëm për të fjetur, për të lexuar. Kjo jam unë.

1 KOMENT

PËRGJIGJU