Home » FOTO » Gjithçka mund të ndodhë, jemi tek Kënga Magjike

Gjithçka mund të ndodhë, jemi tek Kënga Magjike

Vargjet e këngës së kënduar dikur nga Edi Rama dhe West Side family, “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë”, mund të adoptohen fare mirë në rastin e festivalit “Kënga Magjike”. E konceptuar nga organizatori i saj jo vetëm si kompeticion i ftohtë mes këngëve por edhe si një moment ku mund të bëhet mjaft show, ky eveniment na ka bërë të flasim që në startin e prezantimit të këngëve. Gjithçka filloi me vendimin e organizatorëve që votat të deklarohen publikisht, një provokim ky mjaft i gjetur për të tërhequr vemendjen tek ajo se çfarë ndodh mbasi këndohet kënga, atëherë kur surpriza dhe suspansi mbaron në çdo lloj tjetër festivali e ku këtu në fakt fillon intriga. Më pas, këngët e kompozuara nga pak emra, armiqtë e betuar që duhet të votojnë njëri-tjetrin dhe ku këngët komentohen si autobiografike, e bëjnë këtë eveniment shumë tërheqës në sytë e publikut. Aq shumë pëlqehet sot “Kënga Magjike” saqë biletat e natës finale vështirë se mund t’i gjeje nëse je kujtuar qoftë edhe një javë përpara.


Bjordi dhe Adela marrin maksimumin e duartrokitjeve

Edhe pse ata shfaqen për herë të parë duke kënduar para një publiku të madh, çifti Bjordi dhe Adela kanë arritur të marrin duartrokitjet më të gjata, duke qenë kështu pretendentë për të fituar  Çmimin e Internetit, çmim ky që e zgjedh publiku nga klikimet dhe që në përgjithësi është edhe kënga më e duartrokitur në sallën e festivalit. Kënga e realizuar nga Pirro Çako dhe me orkestrim të Darko Dimitrov, me titull “Nuk betohem dot”, ka qenë ndër më te klikuarat në webside të ndryshme, ashtu si dhe kënga e Noizy-t, “My lady”. Kënga nuk flet për atë dashurinë përrallore ku ai dhe ajo jetuan të lumtur përgjithmonë, pasi në jetë mund të ketë edhe ndarje.
Ishin pikërisht vargjet dhe mënyra plot ndjenjë e interpretimit të këngës, që i bëri ata mjaft të pëlqyer në publik. Kot nuk thonë, publiku ose të do ose të urren, rrugë të mesme nuk ka. Dhe në këtë rast, publiku i ka dashur që në fillim dhe vijon t’i dojë edhe në paraqitjen e tyre të parë si këngëtarë.


Eranda Libohova ngatërron festival

Këngëtarja e njohur Eranda Libohova duket se aq shumë është ndier brenda muzikës popullore saqë  ka ngatërruar festival! Pra, në vend të “Kënga Magjike” duhet të kishte kënduar në “Këngët e shekullit” këngën e saj “Rroftë dashuria”. Në fakt ishte një surprizë e kënshme pjesëmarrja e Eranda Libohovës në një festival ku dominojnë artistët e brezit të ri, ndërsa fakti që ajo këndoi të dielën e fundit të prezantimit të këngëve te e “E diela shqiptare”, mund të jetë një disfavor për popullarizimin e menjëhershëm të këngës, krahasuar me këngët e tjera të lançuara më herët. Kënga “Rroftë dashuria” shoqërohet me një perfomancë spektakolare edhe nga banda që i jep asaj edhe më shumë ngjyra të muzikës popullore. Përpos kësaj, shtoji dhe veshjen e këngëtares, e stiluar sipas motiveve të xhubletës, bluzë e bardhë dhe fund të zi me elementë karakteristikë të traditës së veshjeve popullore, aq sa për një moment harrojmë që jemi duke ndjekur “Kënga Magike”, ku këndohet muzikë e lehtë. Në intervista të ndryshme, këngëtarja e ka pohuar vetë se “folklori shqiptar është kaq i larmishëm dhe i bukur sa nuk do të donte ta ndante nga jeta e saj muzikore”. Por në këtë rast e ka tepruar, edhe pse kjo këngë duke qenë shumë ritmike do t’i hyjë mjaft në punë në koncertet e saj të mëvonshme.


Kënga që Pirro i kushton Invës, pretendente për çmimin e parë

Është një këngë autobiografike, me të cilën Pirro Çako vendosi t’i bëjë një pyetje retorike ish-bashkëshortes së tij, sopranos Inva Mula.”Sa e shite zemrën”, një titull që Pirro e vendosi pasi Inva doli hapur me të dashurin e saj, milionerin kosovar Et’hem Ramadani dhe që ngjiti shumë në publik. Kënga iu besua duetit të profesionistëve Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli. Jo më kot, Pirro këngën e jetës së tij ua besoi këtyre këngëtarëve për të pasur sukses maksimal dhe me pretendimin për të fituar. Gjithsesi, varet se si do të votojnë këngëtarët, por nga një sondazh paraprak me disa këngëtarë, ata kanë pohuar se vlerësojnë me pikë maksimale pikërisht këtë këngë. Këngëtarë të tjerë kanë pohuar se votën e tyre ia kanë dhënë Eranda Libohovës, gjë që mund ta bëjë konkurrencën të fortë mes këtyre dy këngëve.


Çili, Olta, Ester dhe Adela bëjnë xing, në skenë me fustane gri

Çuditërisht, në këtë edicion të “Kënga magjike 2010” ka mbizotëruar ngjyra gri në fustanet e këngëtareve. Dhe po ashtu, disa nga elementët që kanë rënë më shumë në sy, që kanë shërbyer si aksesorë për zbukurimin e fustaneve të tyre janë puplat dhe rruazat me shkëlqim. Katër vajzat: Çiljeta Xhilaga, Olta Boka, Ester Hoxha dhe Adelajda Xhamani janë shfaqur në skenë me ngjyrën gri, ndoshta nga fakti që kanë konkurruar me këngë me fabula të trishtuara. Ester Hoxha në një bashkëpunim me Noizy-n shfaqet me këngën “Të urrej se të dua”, Çiljeta prezantohet me këngën “Të dy qajmë të ndarë”, Adela me Bjordin me këngën “Nuk betohem dot” dhe Olta “Mbeti një brengë”. Me shumë duartrokitje është pritur Ester, e cila udhëton nga Napoli për këtë festival, pasi është zhvendosur me familjen që nga muaji qershor. Edhe pse ajo e prezantoi këngën e saj të dielën e fundit para netëve finale të festivalit, kënga e saj është pëlqyer dhe klikuar në websitet e ndryshme muzikore.


Rezarta Shkurta merr rolin e engjëllit, i lë Vitës rolin e djallit

Këngëtarja Rezarta Shkurta, e cila konkurron në “Kënga Magjike” me këngën “Budallaçkë e vogël”, ka realizuar një perfomancë të veçantë, për t’i dhënë një kuptim të plotë këngës autobiografike, kushtuar ish-mikeshës së saj, modeles Vita Goge. E veshur me të bardha, ajo shfaqet në skenë si një engjëll që del mes petalesh, duke marrë rolin e engjëllit dhe duke ia lënë rolin e djallit, pikërisht Vitës, me të cilën nuk flet më.


Ronela Hajati zgjedh performanca të rrezikshme

Me një perfomancë të veçantë është shfaqur Ronela Hajati, në gjysmëfinalen e festivalit “Kënga Magjike”. E varur me kokë poshtë në një tub, që mbahet nga disa balerinë, ajo ka tërhequr vëmendjen teksa ka nisur performimin e këngës “Harroje” të shkruar nga Flori Mumajesi. Në prezantimin e këngës për herë të parë tek “E diela shqiptare”, ajo u shfaq bionde, kësaj here ka vendosur t’i rikthehet prapë ngjyrës së zezë të flokëve. Mesa duket, kjo ngjyrë i shkon më shumë për shtat tipit të saj energjik në skenë, me kërcime ekstravagante. Ronela Hajati konkurroi edhe vitin e kaluar në “Kënga Magjike” me këngën “Kam frikë të të dua”.

Other Posts in this category

No more posts found in this category
Post a Comment 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Get Free Google Page Rank

Content Protected Using Blog Protector By: PcDrome.