LEONORA JAKUPI: Udhëtova gjithë bregdetin shqiptar për të xhiruar “I Harruari”
- Posted on 24/10/2010 in INTERVISTA, MUZIKE, VIDEO
- |
- by admin
Leonora Jakupi, publikoi javën e shkuar videokëngën “I Harruar” që pati sukses të menjëhershëm në publik. Për të realizuar këtë videoklip, këngëtarja ka udhëtuar me jaht nga Veriu në Jug përgjatë gjithë bregdetit shqiptar. Ne biseduam shkurtimisht me të rreth klipit, festivalit “Eurosong” dhe projekteve të ardhshme. Ja se çfarë mësuam:
Leonora përshëndetje! Ku jeni në këto momente dhe me çfarë jeni duke u marrë?
Për momentin ndodhem në Kosovë, konkretisht në Prishtinë. Po shijoj suksesin e këngës dhe në të njëjtën kohë jam mjaft e angazhuar rreth promovimit të saj.
E pashë videoklipin e ri. Urime! Shikoj se është pritur mjaft mirë. Me kë keni bashkëpunuar për këngën dhe për videon?
Kënga është realizuar në studion e Don Arbas në Prishtinë, me tekst të Avni Qahilit, ndërsa videoklipi është realizuar nga “Exit B”.
Ku është xhiruar?
Spoti është xhiruar në bregdetin shqiptar, nga Veriu gjer në Jug dhe sinqerisht jam mrekulluar me bukuritë e natyrës sonë. Ka qenë një nga eksperiencat e mia më të mira.
A do të jetë ky klip si paralajmërues i albumit tuaj të ri? Nëse po, a mund të na tregoni diçka më shumë rreth albumit?
Nuk do të thosha se është paralajmërues, por është një nismë e projekteve të mia të reja në kuadër të së cilave hyn edhe albumi. Shpresoj që të jetë në treg sa më shpejt, por nuk po flas për detajet, për faktin se akoma jam në përzgjedhje të autorëve dhe këngëve që i shkojnë për shtati zhanrit tim.
Më pëlqen look-u juaj i fundit. Sidomos sesioni fotografik që keni realizuar për revistën “Selekt”. Shumë cool! Kush ju ndihmoi apo kush e pati idenë për këtë ndryshim?
Ka qenë ide e përbashkët e imja dhe e dizajnerit timValdrin Sahiti. Pak më ndryshe, por gjithmonë në korniza të Leonorës.
Ndërsa në videon “I harruar” dukeni shumë hot me fustanin e kuq. Ju shkon shumë e kuqja…
…Thonë se më shkojnë të gjitha ngjyrat, por e bardha mbetet e preferuara për mua.
Kam lexuar diku se dëshironi të publikoni një libër autobiografik, a është e vërtetë? Ka diçka konkrete në këtë lajm apo është thjeshtë një dëshirë për në të ardhmen?
Për momentin mbetet vetëm dëshirë deri në momentin kur të tërhiqem nga bota e showbiznesit. Më duhet edhe shumë kohë për t’i dhënë skenës dhe për të mësuar nga ajo! Do t’ia dedikoj këtë libër karrierës sime, skenës dhe eksperiencave të mia në këtë fushë.
Në Kosovë dhe pse ende nuk është siguruar e drejta për të shkuar në Eurosong, shumë këngëtarë kanë filluar të flasin për dëshirën për të përfaqësuar vendin e tyre në këtë festival. Mendoni se kënga përfaqësuese duhet përzgjedhur nëpërmjet një festivali si në Shqipëri apo me ndonjë mënyrë tjetër?
Në momentin kur institucionet e Kosovës organizojnë një event të mirëfilltë për prezantim e vlerave të tyre në fushën e artit, do të sigurohej e drejta besoj… ndryshe për artistët kosovarë zgjidhja e vetme mbetet “Festivali i Këngës në RTVSH”, festival ky që ka promovuar shumë emra tashmë të njohur nga Kosova, duke më përfshirë edhe mua.
Kush nga këngëtaret/këngëtarët e reja/rinj ju pëlqejnë më tepër?
Më pëlqen dhe do të veçoja Dafina Zeqirin.
E në fund, duke ju falënderuar për intervistën, do të donim të dinim se cilat do të jenë disa prej projekteve kryesore, me të cilat do të njihemi gjatë muajve të ardhshëm?
Albumi, klipi i radhës dhe pjesëmarrja në shumë koncerte. Faleminderit dhe juve!
Intervistoi: Elbino
TAGS: i harruar, INTERVISTA, leonora jakupi
Post a Comment
















