Jonida Maliqi: Kjo jam unë…
- Posted on 16/10/2010 in INTERVISTA, MUZIKE
- |
- by admin
Jonida Maliqi në një rrëfim mbi veten, në muzikë rezervon surpriza, biznesi po i ecën mirë, ndërsa martesa!? Nuk ka më mirë… Kjo është Jonida!
Jonida, mes muzikës dhe biznesit
Është shumë e vështirë të gjesh pak hapësirë boshe në kohën e Jonida Maliqit. Ajo është vazhdimisht e zënë, këtë herë jo më muzikë, por me dyqanin e këpucëve. E takojmë në ambientet e biznesit të saj të vogël, por që Jonidës po i shijon shumë kjo punë.
U bë më shumë se një vit që përveç këngëtare është edhe “biznesmene”, e në gjithë këtë një gjë është e sigurt, ku ka dorë Jonida, gjithçka është perfekt dhe e kuruar mirë deri në detaje.
Në një bisedë me Maliqin kemi folur për të, për marrëdhënien më famën, biznesin muzikën edhe për… martesën. Jonida ka dy vjet e martuar dhe i duket sikur ka dy muaj. Ndërsa flet, reflekton siguri në gjithçka që thotë. Mendohet mirë para se të marrë një vendim dhe në shumicën e rasteve nuk bën plane. Nga ana tjetër, këtë vajzë “me këmbë në tokë” e kemi parë rrallë në intervista dhe sot na vjen në një rrëfim ekskluziv për “Sh2″-in.
Jonida, në pamje të parë dukeni mendjemadhe, jua kanë vënë në dukje këtë?
Në fakt, duke jetuar në kohët e sotme, është shumë e vërtetë që gjithkush, sidomos personazhet publikë, krijojnë një imazh si shumë të largët me njerëzit e thjeshtë. Ndërkohë që harrojmë faktin që unë jam një person shumë normal, ashtu si gjithë të tjerët, përveç faktit që kam një profesion publik dhe jam rritur në skenë.
Por, për pjesën e mendjemadhësisë, faktikisht ky mbiemër i gjëmon të gjithë artistët, të gjithë këngëtarët, por e rëndësishme është të jesh njeri i mirë, i sinqertë dhe i edukuar, unë mendoj që i kam këto tipare, kështu që kushdo që më njeh më pas e ndryshon totalisht atë idenë e vet. Më vjen keq që individët që nuk më njohin të krijojnë një ide të tillë.
Jeni rrallë prezent në media, pse?
Një nga arsyet se përse nuk kam qenë shumë prezent në median e shkruar dhe sidomos nëpër gazeta është që në të shumtën e rasteve më ka ndodhur që të jem zhgënjyer, ose kanë shtuar diçka, ose kanë hequr diçka nga ajo që unë kam thënë.
Ndaj, kam vendosur që në momentin kur të jem prezent në median e shkruar të jem pse jo në kopertinën e një reviste, duke qenë gjatë gjithë kohës shumë e kujdesshme për intervistën dhe për fjalët që do të shkruhen, sipas kushteve që vendos unë, pasi fatmirësisht një artist në momentin që mendon se është rritur profesionalisht, mendon që edhe marrëdhënia me median është shumë e rëndësishme, por kurrsesi nuk do të lejoja askënd që të abuzonte ashtu sikurse abuzohet rëndom në Shqipëri.
Kohët e fundit keni pasur një incident në një televizion, ku është dukur qartë irritim në studio, si është e vërteta?
Po bëhet pak më e madhe seç ishte realisht. Unë kisha një konflikt për sa i përket kushteve që kishim vendosur për të dhënë atë intervistë, autorët e atij emisioni nuk i zbatuan dhe sinqeriteti im ndoshta ndonjëherë merret, dhe publiku nuk arrin ta kuptojë.
Unë ndryshe nga individët që dalin përpara kamerave nuk kam qenë asnjëherë e shtirur, nuk qesh asnjëherë kot, nuk jam asnjëherë e shtirur, por e thashë publikisht atë që mendoja për autoren e atij programi që vazhdoj ta mendoj sot e kësaj dite, që ishte e pasjellshme, sepse njerëzit që merren me art dhe me kulturë, gazetarët, atë që do të ngrenë artin e vërtetë shqiptar, duhet të jenë mbështetje shumë e madhe për artistët e vërtetë, jo të jenë ata që nuk kanë normat elementare të sjelljes dhe të edukatës, gjë që lë gjithmonë shumë për të dëshiruar.
Duke qëndruar tek arti dhe te muzika, keni pasur në “Top-Fest” një këngë me Big Bastën, me titull “Sot t’i japin fund”, çfarë i mungon realisht muzikës në Shqipëri.
Ju jeni ndër ato këngëtare që nuk keni bërë kompromise me komercialitetin?
Më vjen mirë që janë të pakta këngëtare të tilla dhe uroj që publiku të arrijë të bëjë diferencën.
Profesioni i këngëtares apo i parukieres është një ndër më të kërkuarat nga femrat shqiptare, të cilat janë të etuara për të pasur një famë dhe të cilat kur nuk munden dot të bëjnë një gjë tjetër, mundohen të merrem me paraqitjen e jashtme.
Një artist i vërtetë duhet të ketë kufijtë e vet, kufijtë për sa i përket, mënyrës se si sillet në skenë, asaj çka do të japë dhe të mësojë të tjerët, në fund të fundit një artist duhet të jetë një shembull shumë i mirë për të tjerët.
Unë jam munduar që të kem gjithmonë pranë vetes fansa nga të gjitha moshat dhe më vjen shumë mirë që kam arritur ta realizoj këtë gjë. Më vjen shumë mirë gjithashtu kur takoj fëmijë të vegjël që më adhurojnë, adoleshentë, të rinj, bashkëmoshatarë, të cilët më duan për stilin apo për imazhin që kam krijuar dhe nënat apo baballarët tanë që e pëlqejnë seriozitetin tim.
Kjo jam unë! Unë pretendoj që gjithmonë të jem brenda kufijve të mi dhe kornizave të mia, ndoshta me ato çuditë e imazhit, por, përsëri nuk kam guxuar më shumë seç duhet.
Po të ishit tani në fillimet për muzikën, çfarë do të bënit ndryshe?
Në fakt, unë që në moshën 15-vjeçare kam marrë oferta për të këndur në diasporë, në Zvicër, në Gjermani dhe kanë qenë prindërit ata që nuk kanë lejuar, sepse kanë pretenduar gjithmonë maksimumin karshi meje.
Kanë pretenduar që të vazhdoja studimet shkollore mbi muzikën, të rritesha me muzikën dhe në skenë, edhe pse mundësitë na mungonin, por më kanë edukuar që mund t’ia dalësh edhe me një formë të drejtë pa u bërë pjesë e komercialtitetit të shëmtuar.
Çfarë do t’i këshillonit atyre që janë në përpjekje e sipër për t’u bërë këngëtarë?
Unë do të këshilloja që të jenë vetvetja.
Sepse, sot mungojnë këngëtarët që në të vërtetë kanë karakterin e tyre personal dhe individualitetin e tyre muzikor. Ka shumë këngëtarë dhe këngëtare, të cilët janë kopje të shëmtuara të këngëtareve të huaja.
Ju e ndjeni që imitohen nga këngëtaret e reja?
Ndoshta në imazh po, kjo gjë më bën të ndihen mirë, sepse në fund të fundit tregon se unë jam një shembull i mirë për të tjerët. Vokalisht kam përshtypjen se jam menduar gjithmonë të jem shumë individuale në mënyrën se si këndoj dhe për më tepër tashmë ka disa kohë që unë lëvrij dhe gjej rryma të ndryshme muzikore dhe pretendoj të vij ndryshe edhe në skenë.
Tendenca e njerëzve të famshëm është që, pasi bëhen të njohur, ngrenë një biznes, kjo gjë ndodhi edhe me ju, tashmë keni një dyqan këpucësh.
Kjo erdhi për të shfrytëzuar famën, apo dëshirën për t’u marrë me diçka tjetër, pse jo?
Në fakt, ka nisur thjeshtë si një dëshirë e imja për t’u ngritur në mëngjes me një pikësynim.
Duke pasur parasysh që unë jam disi e tërhequr që i seleksionoja mirë, ose e mendoj dy herë para se të shkoj në një koncert dhe meqenëse nuk kam një jetë artistike shumë të ngjeshur, doja të zgjohesha në mëngjes me një synim dhe pse jo të kisha një biznes timin, privat.
Ky është një biznes, i cili ka rezultuar fatmirësisht i suksesshëm. Falënderoj Zotin në këtë rast se ndihem me fat dhe pse jo, kam shfrytëzuar edhe imazhin.
Dhe për këtë gjë, nuk jam unë e para, ka shumë artistë në Botë, që kanë hapur linjat e tyre të veshjeve, të këpucëve, kanë hapur restorante, diskoteka, sepse kanë një imazh të mirë, me sa duket, publiku shqiptar beson në shijet e mia.
Tashmë jeni e dyzuar, harxhoni më shumë kohë më muzikën apo më këtë biznes?
Në fakt, në fillim nuk e kisha menduar që ky biznes do të më zinte një kohë relativisht të gjatë. Megjithatë, jam e aftë t’i përballoj të dyja, ashtu siç dua unë.
Në ç’kuptim ju zë kohë, çfarë bëni ju në dyqanin e këpucëve?
Unë përveç faktit që asistoj pothuajse përditë në biznesin tim, sigurisht jap këshilla nga më të ndryshmet, të cilët gjithmonë nuk hezitojnë të më pyesin dhe gjithashtu bëj personalisht, duke mos dërguar të tjerë, porosinë e koleksionit të ardhshëm.
Ka ndodhur që ka hyrë ndonjëri rastësisht dhe ju ka parë ju në dyqan?
Oo po, habiten, dhe më pyesin, pse jeni këtu?
Jua dëgjojnë këshillën?
Po, ma dëgjojnë shpesh. Kanë ardhur dhe nga Kosova, kemi bërë edhe foto në ambientet e dyqanit. Mund të them që më pëlqen marrëdhënia me dyqanin.
Po ia ndjeni frytin këtij biznesi?
Po, tashmë u bë një vit.
Ju vjen mirë kur ju etiketojnë si “Jonida biznesmene”?
Jo, nuk e shikoj veten fare si biznesmene, sepse kam përshtypjen se jam më e butë seç duhet. Unë jam artiste dhe kjo është shumë e rëndësishme. Nuk ka qenë asnjëherë synimi im të bëhem biznesmene. Për mua të krijuarit këpucë është art me vete. Dhe pikërisht ky biznes është një ndër bizneset që më përkëdhel me mënyrat e veta.
Sa kohë u bënë që Jonida është grua e martuar?
U bënë gati dy vjet. Kemi festuar dy vjetorin. Më duket sikur kanë kaluar 2 muaj. Në fakt, unë më bashkëshortin tim kemi 10 vjet bashkë.
E ndjeni peshën e martesës?
Nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Unë ia sugjeroj çdo femre, që përpara se të marrë vendimin për t’u martuar, të bashkëjetojë një herë. Është më mirë, sepse kam përshtypjen se në një raport çiftëror është ndryshe të jetosh dhe është ndryshe të frekuentohesh. Kështu që bashkëjetesa është shumë e rëndësishme. Unë i kam kaluar të gjitha këto faza dhe them se kam bërë mirë.
Mendoni se ka ardhur momenti për një fëmijë në jetën tuaj?
Në fakt, kjo është një pyetje private, të cilën nuk hezitojnë ta bëjnë të gjithë. Megjithatë, mund të them që është një gjë e cila është në planet tona. Por, mua nuk më kanë pëlqyer asnjëherë gjërat e menduara fort dhe të planifikuara.
Fatmirësisht, më ka rrjedhur ashtu siç kam dashur dhe duke mos e menduar shumë fort, nuk dua që kurrsesi të planifikoj gjëra dhe i përjetoj akoma më bukur kur më vijnë spontanisht.
Jonida, e konsideroni veten njeri me fat?
Po, gjithmonë e them. Madje, më ndodh shpesh që para se të fle, të lutem dhe të falënderoj Zotin që më ka dhënë gjithë këto të mira. E ndjej veten me fat, sepse familjen nuk e zgjedh vetë, po je ti i zgjedhuri i familjes dhe e ndjej veten me fat që kam pasur dy prindër që më kanë dhënë shumë dashuri, e ndjej veten me fat për motrën, e cila më ka mbështetur gjithmonë dhe vazhdon të më mbështesë edhe pse jeton larg.
Jeni munduar për të arritur këtu ku jeni?
Nuk di se si mund ta them, pasi një individ rritet, krijon karakterin e vet, personalitetin e vet, në bazë të familjes që ka. Fëmijëria dhe adoleshenca janë tiparet kryesore të të qenit një person i denjë ose i padenjë.
Në qoftë se i ke kaluar këto faza në formën më normale dhe të lumtur të mundshme, sigurisht pretendon pastaj që t’i rritësh dhe ato fryte që ke marrë të shërbejnë të jesh person sa më i mirë. Por, sigurisht zgjedhjet e mia i kam bërë me koshiencë të plot. Gjithmonë para se të marr një vendim, mendohem shumë gjatë.
Jeni penduar për ndonjë gjë deri më tani?
Nuk besoj se ka individ në botë që të mos ketë qoftë edhe ca pengje të vogla. Po fundja edhe nga gabimet një individ mëson. Është shumë e rëndësishme që, ashtu sikurse edhe marrëdhëniet njerëzore, edhe jeta është me grafikën e vet, ka uljet dhe ngritjet e veta.
Keni shumë mikesha?
Kam pak dhe saktë. Me të vërtetë mund të kem një shoqëri të gjerë, po janë të pakta mikeshat që ua besoj gjërat e mia.
Çfarë duhet të ketë një person që të jetë miku apo mikesha juaj?
Po të më japë shumë dashuri, sepse dashuria mungon shumë. Në momentin që më jep kofidencë të jap kofidencë. Kam përshtypjen se njerëzit e mirë arrij t’i dalloj që nga mënyra se si vështrojnë, se si sillen se si janë të edukuar, se si kanë marrëdhënie me njerëzit e tyre të afërt.
Shoqërinë e zgjedh në varësi të shtresës shoqërore. Një shoqja juaj, duhet të vishet me shije dhe të ketë këpucë apo çantë të bukur?
Më përpara nuk ka qenë shumë e rëndësishme, por jeta më ka bërë që të qëndroj dhe të jem sa më pranë me njerëz të të njëjtit nivel, si nga ana intelektuale, ndoshta edhe nga ana ekonomike, pasi divergjencat pikërisht ndodhin nga individët, të cilët ndihen keq për të ardhurat që ke ti, apo për mënyrën se si logjikon ti.
Ndaj, më ka ndodhur shpesh herë që të mos kem afrimitet me këta individë. Ndaj, është një fjalë e urtë e popullit që “shokun duhet ta zgjedhësh më të mirë se veten”, kështu që mundohem ta zgjedh shoqërinë në të njëjtin nivel, apo pse jo edhe më lart.
Udhëtoni shpesh?
Shumë shpesh udhëtoj. Për biznes udhëtoj, për fundjava.
Jeni më e informuar për këpucët tashmë që keni dyqanin tuaj?
Patjetër që po. Megjithatë, asnjëherë nuk më ka munguar informacioni, sepse kam lexuar shumë. Tani që e shikoj vetë, se si lind një këpucë që në zanafillën e vet, kjo është akoma më e bukur, pastaj është shumë atraktive.
Si ndiheni kur thuhet që Jonida prodhon modë?
Gëzohem shumë. E dini pse? Se në fillim e vuaja këtë pjesë. Unë që e vogël kam qenë gjithmonë shumë e kuruar në imazh. Kjo ka qenë një pjesë e brendshme e imja dhe ndoshta kam lindur me këtë ndjenjë dhe e kam të trashëguar në fakt nga gjyshja ime, duke menduar që ajo ende në moshën 80-vjeçare kujdesej për imazhin e saj.
Unë nuk e kam bërë asnjëherë për të tërhequr vëmendje, përkundrazi ndonjëherë më bezdis kur komentohem për gjëra të tilla.
Jeni nuse për shtëpi, gatuani… ?
Jam. Në fakt, nuk di të gatuaj. Di të bëj shumë mirë sallatat, të shtroj shumë mirë tavolinën. Di të bëj punët me themel, më ka ndodhur që kur nuk kam punëtoren e shtëpisë të dal nga shtëpia në orën 2 të drekës. Nuk më ndodh që të dal nga shtëpia pa rregulluar shtratin tim…
Jeni e ndjeshme?
Jam pak e ndjeshme. Po kam përshtypjen se shumë femra janë si unë. Në fund të fundit, ndjenja është e pallogaritshme edhe lotët gjithashtu.
Do të merrni pjesë në ndonjë festival si konkurrente këto kohë?
Së shpejti do të keni një surprizë, nuk dua të them detaje, por në konkurrim në festivalet e fundvitet nuk do të jem. Shumë shpejt do t’ju rezervoj një surprizë të këndshme.
Kur do të bëjë Jonida një këngë hit. Keni këngë shumë të mira, por jo nga ato që dëgjohen gjithandej…
Sepse ashtu është arti im, ashtu jam unë. Gjithmonë jam munduar që nëpërmjet këngëve që këndoj të tregoj tiparet e mia personale. Nuk dua të dal jashtë natyrës sime, vetëm për efekt që publiku ta pëlqejë, përkundrazi unë mendoj që këngët e mia që kanë rezultuar të suksesshme, janë bërë hite pas disa vitesh dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme, sepse këngët që pëlqehen menjëherë shumë shpejt shuhen. Më mirë dalëngadalë, e shikoj dhe e shijoj ngritjen.
I riktheheni vetes fëmijë, kur keni qenë pjesë e festivaleve?
Unë aty mbahem. Është shtylla ime kryesore, e kujtoj, por nuk e shikoj. Pasi dua ta shoh kur të kalojë një periudhë relativisht e gjatë dhe t’ua tregoj nipërve dhe mbesave.
















