Më shumë rrok në “Festivalin e Këngës në RTVSH”?
Kur Bojkeni hoqi dorë nga “Top Fest”, nuk mund ta mohojmë se menduam që ai e mori këtë vendim për t’ju rikthyer ndoshta për pak kohë karrierës muzikore, por nuk do na kishte shkuar kurrë në mendje që ta shikonim nën rolin e regjizorit të “Festivalit të Këngës në RTVSH”. Gjithsesi nuk mund ta mohojmë se na vjen mirë që kjo ndodhi, pasi kjo na jep shpresë që këtë vit ky festival në mos më i mirë se vitet e shkuara, të paktën do të jetë disi ndryshe. Pavarsisht se Bojken në intervista i është munduar ti largohet
idesë së “ndryshimeve”, në veprime provohet e kundërta. Ndryshe nga viti i shkuar, festivali nuk do ketë katër netë, por tre dhe nuk do ketë ndarje në Vipa apo të rinj, por të gjithë do konkurojnë së bashku. Në të njëjtën kohë ka ndryshuar dhe numri i konkurentëve. Këtë herë do të konkurojnë më shumë këngëtarë se vitin e shkuar .Flitet se numri i konkurentëve do të shënoj 28. Një tjetër ndryshim do të jetë dhe mënyra e votimit. Këtë herë do jenë dy juri të cilat do të vlersojnë këngët pjesmarrëse duke shpresuar në një votim sa më transparent. Jo vetëm vlersimi, por dhe mënyra e eliminimit ka ndryshuar. Çdo natë do të prezantohen katërmbëdhjetë këngë dhe në fund të saj do të eliminohen pesë. Dhjetë këngët e kualifikuara në çdo natë, do kalojnë direkt në finale për të synuar çmimin e madh. Ndërkohë, marrja në dorë e regjisë nga Bojkeni, ka ndezur shpresat tek artistët e rinj, të cilët shpresojnë që krijimet e tyre ndoshta do të munden të ngjiten në skenën e këtij festivali, pa patur nevojën për të qënë
brenda “rregullave” muzikore demode që na prezanton çdo vit. Gjithashtu bashkëpunimi Zhulali-Lako, ka krijuar idenë se këtë vit do mund të shohim më tepër këngë me nuanca të muzikës rrok. Bojken njihet për mbështetjen e rrokistëve në “Top Fest” dhe Edmond Zhulali nga të rinjtë njihet më së tepërmi me këngën me elemente të theksuar rrok “Jeta kërkon dashuri” për të cilën përzgjodhi ta këndonte Flaka Krelani.
















