ADELA e BJORDI: Pse vendosëm të konkurrojmë si këngëtarë
Janë kthyer sërish në qendër të vëmendjes pas një vere të mrekullueshme ku destinacioni mendohej në momentin e fundit teksa lëviznin nga njëri vend i Europës tek tjetri, për t’u stacionuar disa ditë në plazhin e mrekullueshëm të Sardenjas. Vjeshta i gjen me plot ndryshime për të cilat ka shumë kuriozitet. Adela dhe Bjordi janë padyshim dy ish pjesmarrës të “Big Brother” që nuk mund të kalojnë në harresë nga fansat që i kanë ndjekur dhe pëlqyer. Ata janë dy të rinj shumë karizmatikë për të cilët kurrsesi nuk mund të thuhet se iu ka ikur koha. Edhe pse janë të rinj, ata janë koshientë për vlerat e tyre si dhe kanë shumë të zhvilluar sensin e përzgjedhjes së më të mirës për vete dhe për të respektuar publikun që i do. Është paksa kontradiktore sesi dy personazhe që u bënë të njohur në një program kaq komercial si “Big Brother”, kërkojnë me çdo kusht që t’i largohen këtij realiteti për të patur angazhime më dinjitoze, të cilat nuk do t’i përkasin thjesht momentit, por do të jenë si një tullë më shumë në themelet e jetës së tyre të përbashkët. Kështu pra, çifti simpatik bëri pushimet e ëndërruara, u çlodhën për qejfin e tyre dhe në vjeshtë vijnë me të reja. Pasi kanë hyrë në shtëpinë që kishin një vit që e prisnin të përfundonte, surpriza e vërtetë vjen teksa mësojmë se ata do të jenë konkurrentë tek festivali “Kënga Magjike”. Çfarë është ky projekt i ri, si u gjendën në një kompeticion muzikor? Do të na e tregojnë vetë.
- Një shtëpi në periferi dhe braktisje e jetës së zhurmshme të qendrës së Tiranës. E kujt ishte ideja për të bërë këtë zgjedhje?
- Bjordi: Duke u rritur në një vend si Italia, kam parë gjithmonë se të jetosh në periferi është një privilegj, një luks le të themi. Kurrë nuk e kam dashur shtëpinë në mes të rrëmujës së qytetit. Kur ne dolëm nga “Big Brother” filluam të kërkonim për një shtëpi. Si unë ashtu edhe Adela preferonim një zonë të qetë, e cila kurresi nuk mund të gjendej në lagjet e njohura të Tiranës. Na pëlqeu shumë një pallat në Sauk, por që donte akoma kohë për të përfunduar, kështu që u sistemuam provizorisht në një hyrje të vogël pallati pranë Ambasadës Amerikane. Vetëm pak ditë më parë jemi shpërngulur që andej dhe jemi futur në shtëpi të re.
- Si po ju duket ky ndryshim?
- Adela: Është mjaft bukur, kemi një dhomë më shumë që do të shërbejë si studio dhe mbi të gjitha ajër të pastër dhe shumë qetësi. Po e shijojmë shumë, përveç kësaj jemi për tri minuta në qendër të Tiranës kështu që largësia mbetet thjesht si një nocion, pasi në realitet është fare afër.
- A keni përfunduar me arredimin, çfarë ka të veçantë në folezën tuaj?
- Adela: Gjithçka shumë e thjeshtë dhe komforte, për të na mundësuar sa më shumë rehati dhe prakticitet. Tani fillojnë angazhimet tona dhe kjo shtëpi do të na e bëjë jetën më të lehtë.
- Bjordi: Në studion time, të cilën e doja patjetër, ka shumë postera të idhujve të mi në kinematografi. Janë ata që sa herë i shoh më inspirojnë për të bërë gjithçka më mirë.
- Duke parë stilin tuaj të jetës, ku shumë rrallë frekuentoni jetën e natës, të krijohet ideja sikur ju do ta shijoni me të vërtetë atë ambient apo jo?
- Adela: Ne na pëlqen shumë të rrimë në shtëpi dhe herë pas here ftojmë aty edhe miqtë tanë. Na duket diçka më intime se sa të rrish në baret e zhurmshme. Pastaj kemi shumë gjëra për të bërë, lexojmë, shkruajmë, shohim televizor, bisedojmë…
- Pak ditë më parë mësuam për pjesmarrjen tuaj tek “Kënga Magjike”. Si ju lindi kjo ide?
- Bjordi: Ka disa arsye për këtë pjesmarrje. Ne po e mendonim rikthimin tonë në ekran pas programit “Dancing with the stars” dhe dëshironim të bënim diçka të veçantë. Që të dy e kemi pasion muzikën dhe menduam të merrnim pjesë tek “Kënga Magjike”. Vjet e kemi ndjekur nga salla natën finale të këtij festivali dhe jemi magjepsur nga cilësia e tij. Kështu që na u duk më e përshtatshme kjo zgjedhje.
- A keni eksperienca të kaluara me muzikën?
- Adela: Tashmë gjithë publiku e di pasionin tim për këngën. Gjithashtu edhe kam kënduar, natyrisht në mënyrë të improvizuar, tek “E diell” si dhe tek “Top Show”. Nuk jam një këngëtare e mirëfilltë, jam koshiente për këtë fakt, por ama kam shumë vesh muzike, e adhuroj këngën shqiptare të muzikës së lehtë dhe kam bindjen se kur e do shumë diçka, mund të jesh edhe i suksesshëm teksa e lëvron atë.
- Çfarë muzike dëgjoni zakonisht?
- Bjordi: Kam gusto disi të veçanta në krahasim me të rinjtë e tjerë. Nuk më ka tërhequr asnjëherë muzika komerciale, idhujt e mi nuk kanë qenë këngëtarët, që siç thuhet, janë në trend. Kam dëgjuar AC/DC dhe jam mrekulluar. Gjithashtu pëlqej muzikën italiane të para viteve ‘80. Kam adhuruar gjithmonë këngëtarin e famshëm Fabrizzio de Andre. Kurse muzikën shqiptare për fat të keq nuk kam pasur mundësi ta ndjek aq shumë sa do të doja, pasi kam jetuar jashtë por njoh disa këngëtarë që i pëlqej si psh grupin Rit Folk si dhe Alban Skënderaj. Edhe një detaj, kam pasur fatin të këndoj me Albanin gjatë mitingjeve të fushatave dy vjet më parë. Ishte një kënaqësi e madhe.
- Adela: Unë jam adhuruese e muzikës shqiptare, di përmendesh me mijëra këngë, por edhe unë pëlqej më shumë muzikën e viteve ‘80 ose edhe më të vjetra akoma. Kam pëlqyer gjithmonë Sherif Merdanin si dhe patrioten time Parashqevi Simakun. Më pëlqente shumë edhe Lucio Battisti. Por në adoleshencë edhe unë kam ndjekur si të gjithë bashkëmoshataret e mia Christina Aguilierën dhe Britney Spears.
- Si do jetë dalja juaj dhe takimi me fansat tuaj në një skenë kënge kësaj here?
- Adela: Shpresojmë shumë që të pëlqehemi dhe ky është meraku që kemi, pasi po eksplorojmë në një fushë të re. Ne kemi bërë shumë njerëz për vete që nga pjesmarrja në “Big Brother” dhe nuk duam të zhgënjejmë askënd.
- Edhe kësaj here do jeni bashkë si në çdo projekt tjetër. Pse kjo zgjedhje?
- Bjordi: Sepse njerëzit duan të na shikojnë së bashku, jo sepse ne nuk mund të ndërmarrim iniciativa individuale. Por ka edhe arsye tjetër që të dy e duam këtë gjë dhe nuk e bëjmë për hir të njëri-tjetrit, të dyve na shijon kjo eksperiencë.
- Nëse do të keni sukses, mendoni se do t’i hyni rrugës së muzikës seriozisht?
- Adela: Është shumë herët për ta thënë, vetë koha do të na diktojë prioritetet. Për ne është e rëndësishme të bëjmë diçka që na pëlqen me shpresën që edhe publiku të na pëlqejë.
- Nuk na treguat ndonjë detaj për këngën, kush e ka kompozuar, për çfarë flet?
- Bjordi: Nuk do preferonim që të zbulonim detaje, por siç besoj e kuptuat edhe nga preferencat tona në muzikë, padyshim që bashkëpunimi ynë do të jetë me njerëz profesionistë, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare. Megjithëse jemi pa eksperiencë në këtë fushë, nuk duam që kënga jonë t’i shtohet arsenalit të zhurmshëm dhe të pavlerë të këngëve komerciale që qarkullojë sot në tregun muzikor. Nuk kam asgjë me ata që e këndojnë këtë lloj muzike dhe për ata që e dëgjojnë, por siç e thamë, ne duam të bëjmë diçka që në rradhë të parë të na pëlqejë ne dhe kemi bindjem se edhe publiku do të jetë dakord me këtë zgjedhje dhe ekzigjencë tonën.
- Së fundi, hyni në këtë konkurrim të dytë për ju pas “Big Brother”, me pretendimin për të fituar një çmim?
- Adela: Pyetja të vë në mes të dy zjarreve se po të tregohemi modestë e të themi jo, do të jetë një fyerje për aktivitetin që ka si filozofi të saj garën, pra ne duhet të kemi shpirtin e garës. Por po të thonim që kemi hyrë për të fituar, do të dukej si mendjemadhësi. Le të themi që shkojmë për t’u kënaqur dhe shpresojmë që të mbetet një eksperiencë e bukur për ne.
















