Valon Shehu: Lidhja ime pasionante me sociologen
Këngëtari 20-vjeçar nga Kosova, Valon Shehu, i cili është identifikuar si këngëtari i vargjeve të dashurisë është duke jetuar një lidhje të bukur dashurie. Ai për herë të parë është shprehur për “Panorama Plus” se është duke jetuar një histori interesante me vajzën brune po nga Kosova, që quhet Arbresha Maloku. “Po jetoj një lidhje pasiononte, ndihem mirë dhe shpresoj të zgjasë”, tha Valoni për gazetën. Edhe pse këngëtari ishte përpjekur ta mbante gjithmonë të fshehtë emrin e të dashurës, ai tashmë ka vendosur ta shpallë hapur lidhjen e tij me Arbreshën, e cila ndjek studimet e larta në Shkencat Sociale. Ata janë njohur në ambiente artistike, pasi dhe Arbëresha është këngëtare. Valoni e zbuloi këtë lidhje vetëm para 1 muaji, por ai ka pak kohë që shoqërohet me Arbreshën. Këngëtari, i cili në edicionin e “Top Fest 7” u vlerësua me çmimin “Artisti më i mirë mashkull”, u bë i njohur për publikun shqiptar që kur ishte 16 vjeç, kur fitoi kupën e “Star Akademy” në vitin 2006. Aktualisht edhe pse ndjek studimet në fakultetin e Gjeografisë në Gjakovë udhëton shpesh drejt Tiranës për të kënduar në lokale nate apo për të marrë pjesë në konkurse të ndryshme muzikore. Ai bashkëpunon me kompozitorin Alban Male, që ishte dhe autori i këngës “Sa kushton një yll”. Në një intervistë për “Panorama Plus”, pak kohë më parë ai pohoi se edhe pse i këndon ndjenjës, në jetën reale nuk ndihej i dashuruar plotësisht dhe se nuk ishte gati të jepte shumë për dashurinë. Këngëtari asnjëherë nuk e ka mohuar që edhe pse kaq i ri, ka pasur gjithmonë një lidhje për të cilën nuk ka preferuar të japë detaje. I pyetur se nëse në planet e tij është fejesa, ai u përgjigj se, “e rëndësishme është që ndihemi mirë, për fejesën nuk kemi menduar ende”.



















