Linda Halimi: U ndava nga i fejuari, u desh kohë ta kuptonim që s’ishim për njëri-tjetrin
- Posted on 30/08/2010 in INTERVISTA
- |
- by admin
Linda Halimi rrëfehet për ndarjen pas dy vjetësh, dietën që e transformoi dhe pasionin e çmendur për motorët
Kur realizoi klipin “Të dua vërtet” ishte mëse e bindur që dashuria e përjetshme ekzistonte. Por tashmë këngëtarja 21- vjeçare nga Kosova, Linda Halimi e di mirë që gjithçka mbaron një ditë. E suksesshme në këngët e saj ku vargjet i kushtohen dashurisë së dështuar, Linda nuk e kishte menduar se dhe dashuria e saj “e çmendur” një ditë do të përfundonte me ndarje. E tani që i ka dhënë fund fejesës dyvjeçare me kitaristin nga Peja, Ilir Halili, ka vendosur t’i përkushtohet tërësisht muzikës. Në këtë intervistë rrëfen se si po e përjeton ndarjen nga i fejuari, instrumentisti i bandës që luan muzikë metal në Kosovë, me të cilin ran në dashuri me shikim të pare në Tiranë. Ajo zbulon recetën që e dobësoi 15 kg, hobet që ka në jetë dhe pasionin për motorat “Harley”:
Linda ndahesh nga i fejuari pas dy vitesh dashuri, çfarë ndodhi?
Asgjë s’mund të them më shumë përveçse ta pohoj: “Po, mbaroi.”
Ishe shprehur gjithmonë se ishte lidhje e fortë dhe pasionante mes teje dhe Ilirit. Si erdhi ndarja?
Nuk mund të jap detaje për një çështje që më përket vetëm mua dhe atij. Por tani që jemi ndarë nga njëri-tjetri mund të them vetëm se gjithçka në jetë ndodh për një arsye dhe jam shumë e lumtur për të gjitha gjërat që më kanë ndodhur deri tani.
Po flisni për një ndarje pa kthim, nuk shihni asnjë mundësi ribashkimi?
Po, jemi ndarë përfundimisht dhe mund të them se ndihem shumë më e lumtur kështu e lirë, dhe po ashtu s’kam asgjë kundër Ilirit.
Kjo do të thotë që jeni ndarë pa inate dhe mëri?
Nuk ka pse të ketë inate. Unë i dëshiroj çdo të mirë atij, sepse realisht është njeri i mirë. Por thjesht u ndamë se s’ishim për njëri-tjetrin dhe u desh kohë ta kuptonim këtë gjë.
I ke kënduar gjithmonë dashurisë. Tani që kjo histori mori fund kujton ndonjë sakrificë që kë bërë për hir të saj?
Hmmm. Çfarë kam sakrifikuar unë?! Me siguri mund të them që kam dhënë gjithë energjitë e mundshme, aq sa nëse nuk do isha përkushtuar në atë lidhje nuk do isha këtu ku jam, pra do isha shumë më lart. Por mendoj se tani më ka ardhur koha të dëshmoj veten se kush jam vërtet.
Ka ndryshuar jeta jote tani që je vetëm, ndihesh me e lirë, e pavarur?
Unë e lirë kam qenë gjithmonë ndonëse kam jetuar këtë lidhje. E lirë në aspektin që ai s’më ka penguar për asgjë që kam dashur, por tani që jam totalisht e lirë ndihem mirë për arsyen se po fokusohem më shumë në realizimin e planeve dhe ëndrrave që kam. Po merrem më shumë me veten dhe kjo më bën mirë sidomos në karrierën time, koncertet “live”, këngët e reja dhe konkurrimi në festivale.�

Transformimi i Lindës: “Si arrita të humb 15 kg nga dalja e parë në skenë”
Ajo u shfaq në skenë me një zë potent dhe me një trup mbipeshë disa vite më parë. Por sapo fitoi çmimin e parë në “Top Fest-in” e vitit të kaluar, i vuri qëllim vetes: “Do të dobësohem patjetër, nuk shkon më të shfaqem në skenë me trupin tim mbipeshë”. Dhe pak nga pak, nga një dalje në tjetrën në skenë ia arriti qëllimit dhe jo pak, por plot 15 kg më pak. Tregon se për t’u dobësuar nuk ka mbajtur dieta, por i është nënshtruar një trajtim rigoroz nga Anila Kalleshi këtu në Tiranë, e cila i ka qëndruar pranë gjatë gjithë trajtimit special me sauna, tonifikim, drenim, elektroda, etj. “Procesi i dobësimit zgjati 11 ditë në nëntor të vitit 2009 kur humba 7 kg, dhe 10 ditë të tjera në maj të këtij viti ku humba 7 kg të tjera. Pas kësaj normalisht që i jam ruajtur ushqimit duke shmangur yndyrnat dhe brumërat, ndërsa vazhdoj të ushqehem me gjithçka që më shijon, si më parë, por pa e tepruar. Momentalisht peshoj 59-60 kg, nga 75 kg që peshoja para hyrjes në trajtim”, tregon ajo. Po marrëdhënia me alkoolin dhe cigaren?! “Shijoj vodka ndonjëherë kur jam me shoqëri, por pa e tepruar, ndërsa cigaren as për kuriozitet s’e kam provuar kurrë ndonjëherë”, thotë Linda.

Linda vë në garë të rinjtë: “Duet, me kusht nëse këndoni perfekt këngët e mia”
Ndërkohë Linda sapo ka shpallur një konkurs për talentet e rinj, pikërisht për ata që dinë të këndojnë dhe që duan të hyjnë në botën e muzikës. Kushti që ajo ka vendosur për këtë garë është që konkurrentët të këndojnë një këngë me instrument apo accapella dhe t’ia postojnë si video në profilin e saj në facebook. Nga konkurrimi që do të mbyllet më 20 shtator, do të përzgjidhet më i miri, i cili do të jetë kështu i zgjedhuri i saj për një duet me këngëtarën, që do realizohet klip në fillimin e vitit 2011. “Ka shumë të rinj që duan të depërtojnë në fushën e muzikës, por që për një arsye ose një tjetër nuk kanë pasur mundësinë deri më tani, dhe meqënëse vetë kam kaluar në vështirësi të shumta deri sa kam arritur këtu ku jam, mendova që pse të mos e ndihmoj dikë që ka talent”, thotë ajo. “Edhe pse për mua është fillimi në muzikë, jam gati t’ia bëj dikujt këtë ëndërr realitet. Nuk po e bëj sa për të bërë interesanten, por sepse e di mirë që ka shumë të rinj që dëshirojnë me shpirt të bëhen këngëtarë”, përfundon ajo.

















