Home » INTERVISTA » Kastriot Rexha(Dr. Mic): Dueti me Nora Istrefin përparësi për profesionin tonë

Kastriot Rexha(Dr. Mic): Dueti me Nora Istrefin përparësi për profesionin tonë

Kanë filluar të merren me muzikë para shumë vitesh, por deri më tani duket se nuk u është dhënë hapësirë e duhur për të shpalosur talentin e tyre. Grupi “TDS” kohën e fundit po shkund skenat kosovare me hit-et kualitative që po bëjnë. Fillimisht me bashkëpunimin e grupit “Skillz”, e ndërkohë këto ditë edhe me këngëtaren Nora Istrefi. Kështu, kënga e tyre, e titulluar “Ka je” po thyen rekorde klikimi në YouTube.  Kastriot Rexha njëri nga vokalistët e grupit rrëfehet për fillimet, punën rreth këngëve të publikuara, planet për të ardhmen dhe shumë gjëra të tjera interesante…

Keni arritur një sukses të jashtëzakonshëm, këngët po bëhen hit-e menjëherë. Si ishte bashkëpunimi me grupin “Skillz”. Kush ishte inciatori i duetit?

I bashkëpunimit po thua? Si grup, “TDS” edhe pse jemi themeluar në vitin 2005, publikisht jemi promovuar në vitin 2008 përmes albumit të parë, “17 arsye”. Edhe pse në publik jemi të njohur me këngën, “Si manekene” në bashkëpunim me grupin Skillz, dua të cek se në të njëjtën kohë personalisht kemi publikuar edhe këngën “Fillimi i filmit”, këngë që ka arritur popullaritet të njëjtë si kjo që ceka më herët. Ndërsa, iniciator në zhvillimin e bashkëpunimit jemi ne, meqë i kemi ftuar që të jenë pjesë e këngës sonë, “Si manekene”, e cila është bërë një hit i madh dhe i papritur nga ana e audiencës kosovare. Për këtë arsye, ia vlen të falenderojmë grupin “Skillz”, meqë na dhanë shtytje që të bëjmë edhe hit-e të tjera.

Si kanë lindur talentet tuaja dhe si arritën të bëhen bashkë grupi “TDS”?

Personi i talentuar lind i pavarur me këtë virtyt, por sesa do ta shtyjnë atë të zhvillohet në të ardhmen varet nga ai vetë dhe me shumë nga ambienti social e kulturor që e rrethon. Fillimisht, kur filluam të depërtonim në skenën muzikore, ishim veçse adhurues të muzikës hip-hop pa menduar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Përderisa, përkrahje momentale kemi shumë më shumë se në fillim të karrierës, meqë më herët ka ndodhur që njerëzit nuk na kanë ofruar shumë ndihmë dhe përkrahje, aq sa na ofrojnë tani, edhe pse muzikë të kemi bërë muzikë, atëherë dhe tani.

Është e vërtetë që keni pasur “konflikte” të vogla me grupin “Skillz”, pasi nuk ju kanë dhënë hapësirë të duhur për të shfaqur talentin?

E ceka edhe më herët, që të depërtosh në skenën muzikore shqiptare varet më shumë nga ambicia personale dhe ambienti që të rrethon, gjithnjë e kam fjalën për ambientin muzikor. Me grupin “Skillz” nuk kemi pasur ndonjëherë konflikt, shprehje ndoshta në mënyrë spontane.

Po tani kush e menaxhon grupin dhe punën tuaj?

Tani për tani menaxher të grupit “TDS” jemi vetë ne: Kastriot Rexha (Dr. Mic), Shpend Hajredini (Mc. Mix) dhe Onat Shufta, i bëjmë të gjitha që kanë të bëjnë me grupin TDS (The Dark Side), ku secili i përfundon detyrat e tij vetë. Shpendi bën instrumentalet,  si dhe kur vjen puna tek tekstet, secili i bën veç, duke u koordinuar me njëri-tjetrin për të funksionuar pozitivisht si grup.

Na thuaj diçka më tepër rreth vetes për ata që nuk ju njohin?

Sa i përket vetes, tek publiku shqiptar me duket se më shumë kam bërë përshtypje më mënyrën e këndimit tim, që i përket Jamaican Style (stilit xhamajkan), meqë deri më tani kjo rrymë muzikore nuk është praktikuar shumë tek audienca shqiptare. Së shpejti (brenda këtyre ditëve) do të realizoj edhe një solo këngë dhe klip personal në Shqipëri me po këtë stil, për të cilin shpresoj dhe besoj që do të mirëpritet nga publiku mbarë shqiptar.

Keni filluar mbarë përsëri, dueti me Nora Istrefin po ju sjell përsëri në qendër të vëmendjes?

Sa i përket bashkëpunimit me Nora Istrefin, kam edhe unë përshtypjen që do të jetë vazhdimësi e karrierës sonë të suksesshme muzikore. Edhe pse në moshë jemi shumë të rinj, një duet i tillë i jep shumë përparësi profesionin tonë dhe për këtë falenderojmë Norën.

Kush e ka punuar këtë këngë?

Në këtë këngë kemi punuar të gjithë së bashku, ndërsa videoklipin e ka realizuar produksioni muzikor “Pixel-s”, muzikën e këngës e ka bërë Shpendi, kurse tekstin që këndon Nora Istrefi e kam bërë unë.

Po me Norën ishte i lehtë bashkëpunimi duke ditur që ajo tashmë ka disa vite në skenë?

Nora për nga natyra dhe karakteri është shumë femër modeste, e talentuar, e qetë dhe e thjeshtë. Fillimisht, ajo disa muaj më parë ishte e interesuar që të kishte një bashkëpunim me grupin tonë, por për shkak të disa mosmarrëveshjeve dhe shtyrjeve në kohë të këngëtarëve rep (edhe pse në interesim e sipër), nuk arritëm që të kemi kontakt direkt me të. Tani arritëm të gjejmë mënyrën e komunikimit me të dhe të realizojmë këngën “Ka je”, me të cilën shpresojmë që do të depërtojmë dhe më shumë tek audienca.

Përveç këngës hit, ju keni realizuar dhe një klip shumë interesant. E veçanta e gjithë realizimit janë lëvizjet tua. Në fakt janë reale, apo realizime kompjuterike?

Realizimet në videoklip janë më se të vërteta, por fatkeqësisht jo nga ana ime, apo e anëtarëve të tjerë të grupit tim, por të një miku të afërm që dua ta falënderoj shumë. Elastik, i përshtatshëm dhe i adaptueshëm në çdo skenë dhe situatë.

Pas Norës kush është në radhë prej femrave që presin një duet me ju?

Realizimi i bashkëpunimit në këngën, “Ka je” me Nora Istrefin ishte vetëm një plan që pritej të realizohej dhe shpresonim në suksesin e saj. Meqë si anëtarë të grupit kemi edhe këngë tjera, në të cilat marrim pjesë si mysafirë, për shembull Kënga e Mc Kreshës, “Lyrical Warfare” e shumë këngë të tjera që mund t’i shikoni në youtube, ku jemi mysafirë edhe të këngëtarëve të gjinisë femërore, e vetmja shpresë e jona është që me talentin tonë të arrijmë atë që duam – suksesin e meritueshëm, pa ndihmën e askujt. Ndërkohë bashkëpunimet gjithmonë do të jenë të mirëpritura.

Keni menduar të realizoni ndonjë album muzikor, apo do vazhdoni kështu me bashkëpunime dhe këngë “single”?

Kemi shumë këngë që nuk janë lançuar ende në tregun tonë muzikor dhe që së shpejti shpresojmë që në bazë të tyre të realizojmë edhe albumin tonë të dytë. Në këtë rast. shpresojmë që të fitojë vlera muzikore, e jo fiziku, apo bashkëpunimi me ndonjë këngëtar të famshme të gjinisë femërore. Dhe për fund, ju falenderojmë shumë për këtë intervistë, dhe shpresojmë që publiku të na vlerësojë për atë që prodhojmë, e jo për anën komerciale dhe vizuale.

Post a Comment 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Get Free Google Page Rank

Content Protected Using Blog Protector By: PcDrome.