Klajdi Musabelliu tenton aktrimin, fillon punë dublant në serial vizatimor
Këngëtari Klajdi Musabelliu më në fund duket sa i ka hyrë pasionit të tij të hershëm për aktrimin. Ai sapo ka filluar punë si dublant në një serial filmi vizatimor, që është eksperienca e tij e parë në këtë fushë arti. Filmi “Daigander” është duke u realizuar në studion e dublimit ndërsa do të fillojë transmetimin në shtator në paketën e “Vizion Plus”. Klajdi do të fshihet pas personazhit të komandantit Akira, i cili drejton robotët e tij luftëtarë në kampionat për të fituar rripin prej titani. “Është një eksperiencë shumë e bukur e mjaft pranë dëshirave të mia për dramaturgjinë, aktrimin. Si të thuash ky është një kurs privat për mua për të folurin skenik”, thotë Klajdi për “Panorama Plus”. Këngëtari është bërë pjesë e këtij projekti interesant, në të cilin janë angazhuar shumë aktorë të njohur të teatrit të filmit. Duket kjo si një tërheqje e përkohshme nga muzika e Klajdit, i zbuluar në “Ethet e të premtes mbrëma”, eksperiencë pas së cilës pati shumë pjesëmarrje në koncerte e festivale. Aktualisht ai është duke u përgatitur për provimet dhe diplomën në degën e gazetarisë në një nga universitetet private në Tiranë. Gjatë zgjedhjeve vitin e kaluar ai u angazhua me fushatën e LSI-së në rrethe, gjë që e detyroi ta shtyjë provimin e diplomës për këtë vit.
















